
Një delegacion i nivelit të lartë i Western Balkans University zhvilloi një vizitë zyrtare në UniCamillus-International Medical University, në kuadër të forcimit të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe zgjerimit të partneriteteve akademike në fushën e arsimit të lartë dhe shkencave mjekësore.
Delegacioni i WBU kryesohej nga rektori Prof. Dr. Ferdinand Gjana. Në të merrnin pjesë Prof. Assoc. Dr. Albana Halili, Zëvendësrektore për Kërkimin Shkencor dhe Koordinatore Akademike e programit të Mjekësisë, Prof. Assoc.Dr. Erlis Çela, Zëvendësrektor për Ndërkombëtarizimin, Marrëdhëniet me Industrinë dhe Komunikimin, Dr. Brunilda Zllami, Përgjegjëse e Departamentit të Mjekësisë, si dhe Dr. Irma Gjana, Dekane e Studentëve.
Delegacioni u prit nga Rektori i UniCamillus, Profesor Gianni Profita, së bashku me ekipin drejtues të universitetit, në një takim ku u diskutuan mundësitë për bashkëpunim akademik, kërkimor dhe institucional ndërmjet dy universiteteve.
Gjatë vizitës u nënshkrua edhe një marrëveshje bashkëpunimi ndërinstitucional, e cila synon zhvillimin e projekteve konkrete në fusha me interes të përbashkët. Marrëveshja parashikon bashkëpunim në shkëmbimin dhe transferimin e studentëve, zhvillimin e projekteve të përbashkëta kërkimore, organizimin e aktiviteteve akademike dhe shkencore, si dhe iniciativa për zhvillimin profesional dhe ngritjen e kapaciteteve të stafit akademik.
Në vijim të programit të vizitës, delegacioni i WBU pati mundësinë të vizitonte nga afër kampusin universitar të UniCamillus në Romë dhe të njihej me praktikat edukative, laboratorët, infrastrukturën akademike dhe qasjet bashkëkohore kërkimore të aplikuara në këtë institucion ndërkombëtar të specializuar në shkencat mjekësore dhe shëndetësore.
Kjo vizitë përfaqëson një hap të rëndësishëm në strategjinë e ndërkombëtarizimit të Western Balkans University dhe në zgjerimin e rrjetit të partneriteteve me institucione prestigjioze europiane në fushën e arsimit të lartë.
