
Western Balkans University, përmes Departamentit të Infermierisë dhe Fizioterapisë, organizoi me sukses edicionin e dytë të konkursit ndëruniversitar me temë “Më mirë të parandalosh sesa të kurosh”, një aktivitet akademik i dedikuar forcimit të njohurive dhe ndërgjegjësimit mbi rëndësinë e shëndetit publik dhe parandalimit.
Në këtë aktivitet morën pjesë studentë të programeve të Infermierisë nga Western Balkans University, Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë dhe Universiteti “Luigj Gurakuqi” Shkodër, të cilët prezantuan projekte dhe ndanë ide mbi çështje aktuale që ndikojnë në shëndetin e komunitetit, duke theksuar rolin e infermierit në promovimin e shëndetit dhe edukimin shëndetësor.
Prezantimet u shoqëruan me diskutime dhe debat të hapur me stafin akademik, duke krijuar një hapësirë të vlefshme për reflektim dhe shkëmbim mendimesh mbi praktikat më të mira në parandalimin e sëmundjeve dhe promovimin e shëndetit.
Në përfundim të konkursit, pas një gare të ngushtë, skuadra fituese u shpall ajo e Universitetit “Luigj Gurakuqi”, Shkodër, duke u vlerësuar për përgatitjen dhe performancën e tyre.
Ky aktivitet po konsolidohet si një traditë akademike në Western Balkans University, duke nxitur bashkëpunimin ndëruniversitar, zhvillimin profesional të studentëve dhe forcimin e kulturës së shëndetit publik.
